Kino Aarmata në Prishtinë, është duke vazhduar programin e saj të rregullt për të sjell tek audienca, jo vetëm filma por edhe aktivitete të tjera kulturore. Aktivitetet në fjalë i ka zbuluar për Radio KFOR-in drejtori i Kino ‘ARMATA’ , Alush Gashi: “Që nga 25 janari, në Kino ARMATA ka filluar moduli shkollor “Neo_School/Electronic Audio Production (EAP)”, ku aplikantë të përzgjedhur gjatë një procesi 1 mujor, kanë filluar me ligjërata për mënyrën e manipulimit të tingullit dhe prodhimit të muzikës dhe tingullit elektronik. Ligjëratat do të zgjasin dy javë të plota. Veç kësaj, Kino ARMATA është duke vazhduar me program të shfaqjes së filmave, sot, e enjte duke filluar nga ora 19:00, do të shfaqim filmin “Derniers jours à Shibati”, në bashkëpunim me Ambasadën e Francës në Kosovë dhe IF Cinema. Javën tjetër vazhdojmë me program publik të modulit “Neo_School/Electronic Audio Production”, ku do të jenë 4 ligjërata si dhe do të mbahet edhe festivali “Entropy Fest”, ku do të shfaqen 14 filma me tematikë: Ushqimi i Shëndetshëm dhe Ushqimi Organik.”
Siç na njoftoi tutje z. Gashi, të gjitha masat në raport me pandeminë e CoVID-19 dhe rekomandimet nga IKSHPK-së, janë duke u respektuar nga Kino ARMATA, e cila është duke shfrytëzuar vetëm 40% të hapësirës për aktivitete, ashtu siç është e përcaktuar edhe me ligjin anti-covid.