17 nëntori i është ndarë shënimit të “Ditës Botërore të Përkujtimit të Viktimave në Trafik”. Për këtë arsye, Policia e Kosovës tashmë ka filluar me fushata vetëdijesuese për trafikun rrugor, kështu tha, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi, enkas për Radio KFOR-in:
“Policia e Kosovës veç ka filluar aktivitete e saja në kuadër të shënimit të kësaj date. Ne tashmë kemi shtypur edhe broshurat, të cilat do t’i shpërndajmë tek drejtuesit automjeteve, për t’ua rikujtuar edhe një herë kujdesin e shtuar në trafik, të përqendrohen, mos ta tejkalojnë shpejtësinë, pasi tash edhe jemi në prag të sezonit dimëror dhe mund të ketë lagështi, mjegull dhe ngrica. Për të gjitha këto ne do të dalim në vazhdimësi me apele për të gjithë qytetarët”.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi, gjithashtu ka treguar se bazuar në statistikat e 9 muajve të fundit, 76 persona kanë humbur jetën në aksidente të trafikut, ndërsa krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të shkuar, kemi rënie të vdekshmërisë prej 15.56 %.