Këtë të premte, më 28 shkurt qyteti i Pejës do të zbukurohet me shtatoren e asaj që me të drejtë po kondsiderohet legjendë. Është fjala për xhudisten Majlinda Kelmendin, shtatorja e së cilës do të përurohet me një ceremoni të veçantë.
Detajet, se si ka ardhur deri tek ndërimi i një shtatoreje për Majlinda Kelmendin, për Radio KFOR-in i ka shpalosur trajneri si dhe përzgjedhësi i Kosovës në xhudo, Driton Kuka: “Ideja ka qenë e Federatës Botërore të Xhudos të cilët kanë dëshiruar të bëjnë diçka pikërisht për Majlindën sepse edhe Federata e konsideron, pa modesti po flas, si një nga legjendat e sportit të xhudos jo vetëm kohëve të fundit por kurdoherë. Statuja është ndërtuar në New York nga artistë të njohur botërorë dhe të gjitha shpenzimet e shtatores dhe për ndërtimin e saj, mirëpo edhe për transportin deri në Kosovë, të gjitha janë mbuluar nga federata.Është ndjenjë e veçantë normalisht, marr parasysh që për herë të parë për një sportist në Kosovë po mendohet diçka e tillë edhe njerëzit sidomos të rinjtë kanë nevojë të kenë ‘role model’ të të rinjve që kanë arritë të depërtojnë në arenën ndërkombëtare edhe atë në majat e botës siç është Majlinda. Kështu që, kjo patjetër se është ndjenjë e veçantë.”
Majlinda Kelmendi në sirtarin e saj numëron shumë medalje të fitores në xhudo. Ka fituar medaljen e artë olimpike në Rio 2016. Ka edhe dy tituj të botës, një medalje botërore të bronztë, plot katër medalje të arta evropiane dhe shumë e shumë suksese të tjera.