Ashtu si në shumë vende të botës edhe në Kosovë, së shpejti pritet të nisë vaksinimi kundër CoViD-19.
Udhëheqësi i Divizionit për Komunikim me Publikun në Ministrinë e Shëndetësisë, Dr. Faik Hoti, në një përgjigje për Radio KFOR-in ka thënë se në muajin shkurt pritet të fillojë vaksinimi i kategorive me prioritet: “Kosova do të marrë vaksina për 20% të popullatës (apo 360 000 vaksina) nga mekanizimi COVAX. Është arritur pajtimi edhe për 535.000 me kompaninë Pfizer, derisa Zyra e Kryeministrit ka lajmëruar edhe për 600.000 vaksina të tjera, të cilat do të merren përmes Austrisë. Në shkurt pritet të fillojë vaksinimi i kategorive prioritare. Simbolikisht mund të nis edhe më herët, por, një vaksinim më gjithëpërfshirës pritet të nis në shkurt për të vazhduar muajt në vijim.”
Dr. Hoti, tutje ka thënë se zbatimi i masave mbrojtëse tani është shumë i rëndësishëm, sepse iu jemi afruar momentit të fillimit të vaksinimit, e cila po shihet si mënyra më e mirë për t’u kthyer në normalitet post-CoViD: “Vaksina, realisht pritet edhe ta bëjë diferencën në trajtimin e deritanishëm të CoViD-it, përkatësisht parandalimit të tij. Prandaj, duhet të tregohen të durueshëm sidomos tani kur shpresa për t’iu kthyer normalitetit është shumë më afër se që ishte para disa muajsh. Është humbje e madhe të mos kuptohet drejt kjo mundësi dhe të rrezikohet jeta për arsye të moskujdesit dhe moszbatimit të masave.”
Andaj, deri në marrje të vaksinave anti-CoViD, mbani maskën, distancën sociale dhe përkujdesuni për higjienën tuaj!