‘Java e Gjuhës Italiane në Botë’ është një ngjarje kulturore ndërkombëtare, e promovuar nga rrjeti kulturor dhe diplomatik i Italisë për promovimin dhe përhapjen e gjuhës italiane.
Në një njoftim për media, bëhet e ditur se në Kosovë, Ambasada e Italisë në Prishtinë dhe Instituti Italian i Kulturës në Tiranë kanë paraparë organizimin e webinareve, kushtuar studentëve të italishtes dhe publikut më të gjerë, për të thelluar njohuritë e tyre për stripat italianë. Disa nga këto takime janë mbajtur më 4, 5 dhe 6 nëntor 2020, ndërsa i radhës parashihet të mbahet më 12 nëntor, nga ora 14:30, me temën ‘Italishtja në stripa: historia dhe evolucioni me Giorgia Cantele’. Gjithashtu, në Muzeun e Prishtinës është planifikuar dhurimi i koleksionit ‘Stripat në Muze’ dhe ekspozita e disa historive të ilustruara të autorëve më të rëndësishëm italianë, e cila do të jetë e hapur nga data 10 nëntor, deri më 10 dhjetor 2020. Edhe në qytetin e Pejës dhe atë të Gjakovës është paraparë të organizohen aktivitete në kuadër të kësaj jave.
Organizatorët po ashtu kanë njoftuar se tema e edicionit të njëzetë të ‘Javës së Gjuhës Italiane në Botë’ është “Italishtja mes fjalës dhe imazhit: grafite, ilustrime dhe stripa”, si forma shprehëse që i japin vlerë gjuhës italiane.
Çdo vit, Rrjeti Diplomatik-Konsullor dhe ai i Instituteve Kulturore Italiane organizon ngjarje, takime dhe përfaqësime në më shumë se 110 vende të botës për të dëshmuar pasurinë e gjuhës së tyre me rastin e ‘Javës së Gjuhës Italiane’.