Në vendin tonë po vazhdon të rritet numri i të vaksinuarave me dozat e dyta, për luftimin e virusit Covid-19. Vaksinimi po shihet si mënyra më e mirë për të luftuar këtë virus, duke marr parasysh edhe faktin se Covid-19 vazhdimisht po pëson mutacione, duke u treguar edhe më i rrezikshëm me paraqitjen e rasteve të fundit ‘Delta’.
Sipas “Ministrisë së Shëndetësisë” vetëm deri në fillim të muajit gusht, në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë më shumë se 450 mijë vaksina, ndërsa më shumë së 165 mijë qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.
Pulmologu, Behxhet Osmani në një prononcim për Radio KFOR-in, ka bërë thirrje që të gjithë të tregohemi të hapur në procesin e vaksinimit dhe të mos hezitojmë të vaksinohemi sepse kështu jemi më të sigurt përballë virusit dhe shtoi: “E vetmja mënyrë për ta mundur këtë virus është duke krijuar imunitet, i cili fitohet përmes vaksinave, prandaj nuk duhet hezituar aspak marrja e tyre. Personat që kanë probleme shëndetësore duhet të konsultohen me mjekun, në mënyrë që të bëhet një vlerësim paraprak, por në momentin që gjendja e tyre shëndetësore të jetë stabile edhe ata mund të vaksinohen. Asnjë nga ne nuk duhet të hezitojë për të marr vaksinën, sepse kështu e mbrojmë veten, familjen dhe të gjithë njerëzit.”
Të dhënat gjithashtu kanë treguar se marrja e të dy dozave të vaksinës, ul ndjeshëm rrezikun nga simptomat e këtij virusi.