Me qëllim të nxitjes së dialogut ndërkomunal, dje (10 shtator) u hap Kolonia Artistike e artistëve të rinj, organizuar nga Qendra e Rinisë së Ferizajt, Njësiti për Bashkëpunim me Qytetar (KFOR-i amerikan) dhe OSBE-ja.
Ky aktivitet është realizuar në vazhdën e javës së KFOR-it, i cili këtë vit është mbajtur nga data 4 korrik deri më 11 korrik dhe siç thonë organizatorët, kjo është mënyra më e mirë e përmbylljes së saj.
Udhëheqësja e Sektorit të të rinjve në komunën e Ferizajt, Dashurie Ahmeti theksoi se jo rrallë herë janë marrë iniciativa të përbashkëta duke ofruar edhe planin e aktiviteteve sipas nevojave dhe kërkesave nga të rinia.
“Aktiviteti i kolonisë së artistëve të rinj në kuadër të agjendës “Java e Kforit”, ishte hapi i radhës i përfshirjes së të rinjve nga të gjitha komunitetet, të cilët jetojnë në regjionin e Ferizajt por edhe pjesë të tjera të Kosovës. Idea për realizimin e një aktiviteti të tillë, jo vetëm që ka ndihmuar në ngritjen e komunikimit ndërkomunal, mirëpor edhe ka ndihmuar në krijimin e bashkëpunimeve të reja mes të rinjve”, u shpreh Znj Ahmeti.
Ajo po ashtu vlerësoi se komunikimi dhe bashkëpunimi në rrafshin rinor do të vazhdoj edhe në muajt dhe vitet në vazhdim, në tendencë të forcimit të marrëdhënieve dhe dialogut në mes komuniteteve që jetojnë në këtë regjion.
Ndërsa Jeton Lika nga OSBE-ja tha se porosia që të rinia i kanë dërguar shokëve të tyre gjatë viteve të mëhershme, ka ndikuar që numri i këtij viti të rritet.
“Ky aktivitet tashmë tradicional u jep të rinjëve kënaqësi të punojnë në profesionin e tyre dhe kësisoj të krijojnë lidhje më të ngushtë mes vete përmes artit”, tha Lika.
Përveç shqiptarëve dhe serbëve që jetojnë në Kosovë, pjesëmarrës në këtë ekspozitë ishin edhe të rinj nga komuniteti rom, ndër ta edhe i riu Ramiz Rrahmani, i cili për Radio KFOR-in tha:
“I kemi punuar 2 punime me shokë. Nëse vazhdojmë të punojmë bashkë me komunitetet tjera, mund të jemi më të suksesshem, më të lirë për një jetë më të mirë e prosperuese. Mesazhi im për të rinjtë që jetojnë në Kosovë, është që të mos ndalen kurrë, t’i ndjekin deri në fund ëndrrat e tyre”.
Edhe për Tamarën nga komuniteti serb, ky aktivitet është i rëndësishëm:
“Emri im është Tamara Jankoviq nga Brezovica. Në Korrik, Kolonia e Arteve u mbajt këtu në Ferizaj, ku ishim të ftuar dhe me bashkëmoshatarët e kombeve të tjera, me të cilët punuam së bashku. Jam shumë e kënaqur që kam krijuar miq nga komunitete të tjera”.
Kolona e artistëve të rinj do të qëndroj e hapur 5 ditë.