Në kalendarin e Kombeve të Bashkuara , 11 dhjetori i është ndarë shënimit të “Ditës Ndërkombëtare të Maleve”. Sot më shumë se kurrë, malet janë nën kërcënimin e ndryshimeve klimatike dhe nga mbishfrytëzimi, prandaj për të shënuar këtë ditë Nazmi Hasanramaj, nga ‘Klubi Alpin Prishtina’ përmes frekuencave të Radio KFOR-it ka bërë thirrje për vetëdijësim më të gjerë në mbrojtjen e maleve:
“Në Klubin Alpin Prishtina, ne çdo ditë e kemi ditë ndërkombëtare, e kuptojmë rëndësinë e maleve, biodiversitetin edhe rëndësinë që kanë ato jetën dhe zhvillimin tonë. Do të ishte mirë që të bëhet një fushatë, jo vetëm në këtë ditë por edhe ditëve të tjera, që të informohen njerëzit për rëndësinë e maleve, pyjeve pasi edhe një dru i vetëm ka rëndësinë e vet, e jo më një vargmal ose mal i madh që shkatërrohet për një ose dy vite. Si klub, jemi munduar që të japim kontributin tonë në këtë lëmi mirëpo është e pamjaftueshme derisa nuk është në një nivel më të lartë. E rëndësishme është që vetëdijësimi të nisë edhe përmes procesit mësimor duke i edukuar nxënësit qysh herët të kuptojnë për rëndësinë që kanë malet dhe ruajtja e tyre.”
“Rëndësia e maleve për rininë”, kjo është tema me të cilën shënohet “Dita Ndërkombëtare e Maleve” për vitin 2019 dhe ka për qëllim që të trajtojë çështjen e jetesës së të rinjve në male si dhe të pasqyrojë se si migrimi nga malet çon në bujqësi të braktisur, degradim të tokës dhe një humbje të traditave të lashta kulturore.