Kontributi i organizatave të shoqërisë civile në një shoqëri demokratike është jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse ato shërbejnë si motor që bëjnë ndërlidhjen në mes të institucioneve dhe qytetarëve në mënyrë që të gjitha problematikat e raportuara të adresohen në vendin e duhur. Pikërisht me këtë qëllim, në kalendarin e Kombeve të Bashkuara është shtuar edhe 27 Shkurti ‘Dita Botërore e Organizatave Joqeveritare’.
Radio KFOR-i me këtë rast kontaktoi projekt menaxherin në Organizatën “Let’s Do It Kosova”, Besnik Shabiu, i cili na tregoi se përmes aktiviteteve të shumta disa vjeçare kjo organizatë ka bërë bashkë qytetarë nga të gjitha komunitetet në Kosovë me qëllim të trajtimit të problematikave mjedisore: “Unë jam Besnik Shabiu, projekt menaxher në Organizatën “Let’s Do It Kosova” dhe njëherit trajner i komponentës mjedisore. Në shumicën e aktiviteteve, projekteve, konferencave e gjithçka që kemi organizuar deri më sot, jemi munduar që t’i përfshijmë të gjithë, pa dallim, absolutisht pa dallim etnie, sepse kjo i jep ngjyra më të mira aktiviteteve tona dhe mesazhi do të jetë shumë më i drejtë dhe i saktë. Në dhjetëra aksione pastrimi kemi përfshirë komunitetet e të gjitha etnive në Kosovë dhe shumë aktivitete i kemi bërë në lokacionet që jetojnë komuniteti Rom, Ashkali, Egjiptian, Turk por edhe ai Serb, kemi bërë aktivitete edhe në pjesën veriore të Mitrovicës, kemi bërë dhjetëra aksione të pastrimit. Vetëm në fushatën e fundit të cilën e kemi realizuar në nivel vendi, të gjitha qytetet me shumicë të banorëve serb kanë qenë të përfshirë në aktivitetet tona, kështu që ky ka qenë një mesazh i mirë që është përcjell tek të gjitha etnitë tjera, se duke punuar bashkë ne do të jemi zë më i fuqishëm, mirëpo në të njëjtën kohë zgjidhja e problemeve dhe diferencat do të shkrihen dhe të gjithë qytetarët pa dallim përkatësie, do të ndjehen të barabartë në shoqëri.”
Në fund, Z. Shabiu nga “Let’s Do It Kosova” iu bëri thirrje organizatave të shoqërisë civile që ta shtojnë bashkëpunimin mes tyre, në mënyrë që të jenë zë më i fuqishëm për inicimin e ndryshimeve për të mirën e përgjithshme.