Data e sotme 30 mars, i është ndarë shënimi të ‘Ditës Botërore të Bipolaritetit’. Se çfarë është çrregullimi bipolar, për Radio KFOR-in ka treguar Psikologia Klinike – Psikoterapiste Trupore, Antigona Qenaj Sejdiu: “Të gjithë kemi uljet dhe ngritjet tona të disponimit, por me çrregullimin bipolar (dikur njihej si depresion maniak ose çrregullim maniak-depresiv) këto ramje dhe ngritje janë më të rënda. Ҫrregullimi bipolar shkakton ndërrime serioze në humor, energji, të menduarit dhe sjelljen nga ngritjet e manisë në një ekstrem, në uljet e depresionit nga ana tjetër. Më shumë sesa një gjendje shpirtërore e mirë ose e keqe, ciklet e çrregullimit bipolar zgjasin me ditë, javë ose muaj.”
Shkaqet e çrregullimit bipolar nuk janë kuptuar plotësisht, por shpesh duket se janë të trashëgueshme por simptomat mund të na ndihmojnë në indetifikimin e të qenit bipolar. Këto simptoma na i shpalosi poashtu Psikologia, Qenaj – Sejdiu: “Ҫrregullimi bipolar mund të duket shumë i ndryshëm në njerëz të ndryshëm. Simptomat ndryshojnë shumë në modelin, ashpërsinë dhe shpeshtësinë e tyre. Ekzistojnë katër lloje të episodeve të humorit në çrregullimin bipolar: mania, hipomania, depresioni dhe episodet e përziera. Secili nga këto lloje ka një sërë simptomash unike. Ndërsa simptomat e zakonshme të depresionit bipolar përfshijnë: Ndjeheni të pashpresë, të trishtuar ose bosh, nervozizëm, pamundësia për të provuar kënaqësi, lodhja ose humbja e energjisë, plogështia fizike dhe mendore, ndryshimet e oreksit ose të peshës, problemet me gjumin, problemet e përqendrimit dhe kujtesës, ndjenjë të pavlefshme ose faji si dhe mendimet e vdekjes ose të vetëvrasjes.”
Sa i përket trajtimit të bipolaritetit, shumica e njerëzve me çrregullim bipolar nuk mund të shërohen plotësishtë, mirëpo këta persona kanë nevojë për ilaçe të vazhdueshme, për të parandaluar episode të reja dhe për të qëndruar pa simptoma të çrregullimit bipolar.