Cacttus Education dhe shoqata Down Syndrome Kosova janë bërë bashkë për të organizuar aktivitetin e mirënjohur botëror “The Hour of Code” (Ora e Kodimit) me moton “Kodimi për të gjithë”. Ora e Kodimit është një mundësi për çdo person dhe student që të provoj shkencën kompjuterike për një orë falas, ndërsa personat e prekur nga sindromi Down, do të jenë mysafirë të veçantë.
“Kjo iniciativë ka filluar për të përkrahur fushën e teknologjisë, si një e ardhme e të gjithëve. Natyrisht, ne dëshirojmë që të përfitojnë edhe kjo kategori e shoqërisë tonë, që të shohin se si bëhet kodimi, të mësojnë se si krijohen programet”, tha në një prononcim për Radio KFOR-in, menaxherja e marketingut në Cacttus Education Center, Liridona Ademaj.
Ky aktivitet organizohet sot (25.04.19), nga ora 11:00 deri në orën 16:00, në Cacttus Education Center dhe po në këtë ditë fillon edhe iniciativa për gjithëpërfshirje në fushën e teknologjisë duke krijuar ndryshime pozitive për komunitetin tonë. Në këtë aktivitet do të ekspozohen edhe produktet nga shoqata Down Syndrome Kosova dhe blerja e tyre do të kontribuoj shumë për personat me këtë sindrom.