Pas shëndetësisë dhe ekonomisë, edukimi ka qenë një ndër fushat më të ndikuara nga pandemia ‘CoViD-19’. Në muajt e parë të përballjes së Kosovës me këtë pandemi, procesi mësimor u ndalua tërësisht, për të vazhduar më pas në mënyrë virtuale me vendim të Ministrisë së Arsimit.
Mirëpo edhe kurset e ndryshme, të cilat janë vijuar nga të gjitha moshat gjatë muajve të fundit kanë pësuar shumë nga pandemia ‘CoViD-19’. Në lidhje me këtë temë, Radio KFOR-i ka biseduar me Qëndrim Rracin, nga Shkolla e Gjuhëve të Huaja “English Language School”, i cili tregoi se sa ka pasur interesim për ndjekje të kurseve gjatë kohës së pandemisë: “Mësimi në objektet tona ka filluar pas fazës së karantinimit duke plotësuar kushtet e distancës, dezinfektimit dhe duke u pajisur me të gjitha masat mbrojtëse. Ndërsa, mësime online kemi pasur edhe para kohës së pandemisë, mirëpo me interesim më të dobët, për arsye se studentët tanë vijnë kryesisht në ambientet tona”.
Mbajtja e mësimit në mënyrë virtuale nuk ka qenë e lehtë as për mësimdhënësit e kurseve, tha kështu mësimdhënësja e gjuhës angleze, Qamile Mehmeti, e cila për Radio KFOR-in po ashtu shtoi: “Mënyra në të cilën është zhvilluar mësimi ka qenë krejtësisht ndryshe nga ajo që kemi pritur ne. Përqendrimi nuk ka qenë aq në nivel, andaj është dashur të përgatisim dhe shpjegojmë edhe materiale ekstra, përveç atyre bazë. Gjithashtu, ka pasur rënie të interesimit për shkak të pandemisë, sepse kërkesat kanë qenë që mësimi të mbahet në klasa, meqë online efekti s’ka qenë i njëjtë”.
Ndërsa zonja Marigona Haliti Hoxha, e cila është nënë e një fëmije 8 vjeçar, në një deklaratë dhënë Radio KFOR-it shpreh bindjen e plotë se në këtë kohë pandemie, fëmijët duhet të mbahen të angazhuar me kurse: “Vazhdimi i kurseve shtesë në forma online do të ishte një hap para, në arritjen e shkallëve të larta të suksesit. Por për këtë, duhet të përpilohen plane atraktive, interesante, interaktive dhe me kohëzgjatje më të vogël, por me shpeshtësi ditore.”