Përveç se shërbejnë si model që gjithmonë ndiqet nga fëmijët, prindërit luajnë rol vendimtar në zhvillimin dhe edukimin e tyre, ku përfshihen sjelljet, reagimet, qëndrimet e tyre në raport me vetën dhe të tjerët.
Këtë e pohon për Radio KFOR-in edhe drejtoresha dhe themeluesja e Organizatës Joqeveritare ‘Total Family Coaching’, znj. Adelina Toplica Badivuku, e cila thekson se janë pikërisht prindërit, ata që ndikojnë drejtpërsëdrejti në zhvillimin dhe mirëqenien e fëmijëve të tyre.
“Prindërimi është një nga detyrat më sfiduese në jetën e njeriut. Por gjithashtu një nga detyrat më të bukura e përmbushëse në jetë. Në këtë rol, prindërit i japin fëmijës drejtim për jetën e tyre, duke vendosur rregulla, kufij e disiplinë dhe duke i përcjellë sjelljet e tyre me lëvdata, shpërblime ose ndëshkime. Në këtë mënyrë prindërit i bëjnë fëmijët të përgjegjshëm për sjelljen e tyre dhe u mësojnë atyre vlerat e jetës. Me udhëzimet që u japin atyre, prindërit ndihmojnë ata të ndryshojnë, të rriten, të piqen dhe të bëhen të suksesshëm. Prandaj, roli i prindërve është çelësi parësor në zhvillimin e fëmijëve dhe sukseset e tyre në të ardhmen. Stilet e prindërimit shoqërohen me rezultate të ndryshme të fëmijëve dhe stili autoritar lidhet përgjithësisht me sjellje pozitive, siç janë vetëvlerësimi i fortë dhe vetë kompetenca”, nënvizoi ndër të tjetra znj. Toplica Badivuku.
Siç pohojnë psikologët, fëmijët janë si sfungjer, meqë ata modelojnë gjithçka që bën një prind dhe përfshijnë atë që shohin në jetën e tyre. Është e rëndësishme që prindërit të japin shembujt e duhur për fëmijët e tyre, sepse shembujt negativ mund të dëmtojnë zhvillimin e fëmijës dhe mund të çojnë në sjellje të keqe, njësoj siç mund të bëhen shembuj të duhur dhe njerëz me ndikim pozitiv në shoqëri.