Mbeturinat nga plastika, paraqesin rrezik serioz mjedisor për shëndetin e njerëzve, kafshëve dhe të gjitha gjallesave. Ndikimi kryesor i hedhjes së plastikës në mjedis, është se duhen shumë vite që ato të treten. Përveç kësaj, nëse mbeturinat plastike digjen, ato lëshojnë një substancë toksike në ajër, duke shkaktuar edhe ndotjen e ajrit. Njerëzit dhe gjallesat tjera janë të ekspozuara ndaj kimikateve nga plastika shumë herë në ditë, përmes ajrit, pluhurit, ujit, ushqimit dhe përdorimit të produkteve të konsumit.
Për të mësuar edhe më shumë rreth efekteve negative të plastikës në mjedis dhe shëndet, Radio KFOR-i ka zhvilluar një intervistë me ekspertë të kësaj fushe, përkatësisht me udhëheqësin e Divizionit për Mbeturina dhe Kimikatë në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit, Enver Tahiri, nga i mësuam rreth dëmeve që shkaktojnë mbeturinat nga plastika: “Aktualisht në Kosovë, një sasi e vogël e mbeturinave riciklohen, siç janë mbeturinat nga plastika. Një nga mbeturinat që paraqesin problem për mjedisin/ambientin, janë edhe mbeturinat nga produktet e ndryshme prej plastike. Në Kosovë, mbeturinat plastike krijohen kryesisht nga plastika që përdoret për ambalazhim të mallrave në veçanti nga qeset plastike që jepen në markete, gjatë blerjes së mallrave. Plastika është e dëmshme për mjedisin, sidomos kur përfundon duke u hedhur në vende jo adekuate, si në lumenj, prrocka, rrugë e lëndina dhe ato përmes rrjedhjes së lumenjve arrijnë në det dhe oqean, duke i ndotur ato.”
Megjithëse është bërë përparim i dukshëm në vitet e fundit, Kosova ende nuk ka menaxhim të duhur të mbeturinave për të gjitha llojet e mbeturinave si: mbeturina shtëpiake, industriale, mjekësore dhe të rrezikshme. Një sasi e mbeturinave hedhen në mënyrë të paligjshme ose digjen dhe Kosova tashmë ka kontroll të qarkullimit të qeseve të plastikes përmes akteve ligjore që janë në fuqi.