Organizata ‘Syri i Vizionit’ në bashkëpunim me ‘Fondacionin e Kosovës për Shoqëri të Hapur’ (KFOS), kanë ndërmarrë një aksion humanitar, duke ndihmuar rreth 300 familje të komuniteteve rom, egjiptian dhe ashkali (RAE), në fshatin Vitomiricë të komunës së Pejës, me pako ushqimore dhe higjienike, duke ndihmuar në tejkalimin e situatës me pandeminë COVID-19.
Radio KFOR-i bisedoi me mediatoren shëndetësore në organizatën ‘Syri i Vizionit’, Agnesa Toska, e cila tregoi se kjo ndihmë do të jetë lehtësim për komunitetet minoritare në Kosovë dhe familjet në nevojë: “Shpërndarja e pakove është bërë derë më derë në të gjitha shtëpitë, me qëllim që të mos krijojmë grupe të njerëzve apo dhe tubime të ndryshme, duke respektuar kështu distancën dhe rregullat e ‘Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës’. Kryesisht përfitues të këtyre pakove kanë qenë pjesëtarët e komuniteteve minoritare 90%, por meqenëse në disa lagje të banuara nga këto 3 komunitete kishte dhe pjesëtarë të komunitetit shumicë me gjendje të rëndë ekonomike dhe familje të cilat kishin anëtarë me nevoja të veçanta, për këtë arsye edhe ata nuk i kemi anashkaluar”.
Aksioni në fjalë ka filluar këtë javë dhe vazhdon edhe sot (12.06) ku dhe do përfundoj ndarja e pakove ushqimore dhe higjienike.