Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, në bashkëpunim me ekipin e Agjencive të Organizatës së Kombeve të Bashkuara të Kosovës do të organizojnë edicionin e 14-të të çmimit për storien më të mirë të gazetarisë mbi varfërinë në Kosovë.
Ceremonia e ndarjes së çmimit do të mbahet më 14 tetor, nga ora 15:00, ndërsa konkursi ka qenë i hapur nga 13 shtatori deri më 7 tetor për të gjithë gazetarët, nga të gjitha komunitetet, që janë banorë të Kosovës.
Fituesit, autorë të storieve më të mira do të shpërblehen me nga një çmim prej 1 mijë Euro për pesë kategori, si: video-storia e shkurtër më e mirë, dokumentari më i mirë televiziv, audio-storia më e mirë, storia e shkruar më e mirë dhe fotografia më e mirë.
Sipas organizatorëve, qëllimi i ndarjes së Çmimit të Gazetarisë për Varfërinë është që të promovojë dhe të nisë debat mbi çështjet dhe shkaqet e varfërisë, dhe të ndikojë indirekt në uljen e varfërisë. Në të njëjtën kohë, nisma synon të inkurajojë zgjidhje kreative për uljen e varfërisë duke vendosur prioritete konstruktive dhe duke adresuar audiencën në mënyrë efikase.