“Forumi për Iniciativa Qytetare” [FIQ], në bashkëpunim me Universitetin “LINK Campus” nga Italia, dhe mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, po vazhdojnë implementimin e projektit “Përshpejtimi i vet-punësimit dhe ndërmarrësisë në Kosovë”.
Në kuadër të këtij projekti do të ndahen 160 mijë euro grante për të mbështetur vetëpunësimin dhe ndërmarrësinë e të rinjve në Kosovë, ku do të rritet drejtpërdrejtë punësimi i të rinjve me kushte të vështira socio-ekonomike, duke i nxitur të prezantojnë dhe të zhvillojnë idetë e tyre të ndërmarrësisë lidhur me sektorin e Bujqësisë dhe Teknologjisë së Informacionit si dhe Komunikimit.
Duke filluar nga sot deri më 29 gusht juria do të bëjë përzgjedhjen e 20 start-upeve me potencialin më të madh për krijimin e vendeve të punës.
Ata do të shpërblehen me grante në vlerë deri në tetë mijë euro dhe poashtu do të kenë mundësinë për të ngritur fonde nga investitorët.
Aktivitet në fjalë është i hapur dhe mbahet në “Europe House” në Prishtinë.