Filma, dokumentarë, dhurim të librave e shoqërim mes të rinjve, ofron aktiviteti “Nata e filmave dhe dhurimit të librave”, i cili mbahet më 8 tetor, në “Termokiss”, nga ora 19:00, nën organizimin e “TruAktiv”. Deri më tani ky aktivitet është mbajtur vetëm në Prishtinë, por më 8 dhe 9 tetor, do të mbahet edhe në qytete të tjera, si në Pejë, Gjilan dhe Prizren.
Se çka ofrohet konkretisht gjatë këtyre mbrëmjeve, për Radio KFOR-in tregon, asistenti i projekteve ne “TruAktiv”, Paris Guri: “Filmat apo dokumentarët të cilët shfaqen kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut, të drejtat e grave, të drejtat e LGBT-së, të drejtat e minoriteteve etj., pra kanë karakter edukativo-arsimor dhe kanë karakter të zhvillimit kritik. Pas shfaqjes së filmave apo dokumentareve ne zakonisht kemi diskutime rreth tematikës së filmit, pastaj është dhurimi i librit, të cilat kanë karakter të njëjtë me dokumentarin apo filmin që shfaqet atë natë.”
“TruAktiv” është program alternativ i edukimit që synon avancimin e mendimit kritik dhe qasjeve kritike në të kuptuarit e shoqërisë, politikës dhe kulturës.