Për të gjithë adhuruesit e hapësirës, NASA ka vendosur që t’i afrohet universit, si kurrë më parë. Ata kanë publikuar koleksionin e tyre të plotë të fotografive, tingujve dhe videove, të cilat janë publike në internet. Në dispozicion janë më shumë se 140 mijë fotografi të hapësirës.
Ju mund të shkruani atë që dëshironi të kërkoni dhe më pas të shfletoni në një bazë të dhënash me imazhe të mahnitshme dhe përmbajtje të tjera nga hapësira. Në këtë databazë mund të gjeni edhe imazhe të astronautëve, hedhje të raketave, aktivitete të ndryshme të NASA-së dhe gjëra të tjera interesante. Në galeri ju mund të zgjidhni nëse këto përmbajtje dëshironi t’i shihni si fotografi, video apo audio. Po ashtu, përzgjedhjen mund ta bëni në varësi nga viti kur ka ndodhur ngjarja.
NASA ka lansuar edhe webfaqe zyrtare në ‘Giphi’ dhe në ‘Pinterest’ për t’ia sjellur universin më afër komunitetit global të internetit. Kjo bibliotekë e NASA-së me fotografi, video dhe audio është në dispozicion për të gjithë, pa pagesë dhe pa ndonjë rregull për të drejtat e autorit.
Andaj, mos e lini pa e shijuar këtë mundësi që të shihni misteret magjepsëse të hapësirës, si të ishit brenda ambienteve të NASA-së, përmes vegzës: https://images.nasa.gov/