Çdo grua ka përkufizimin e saj të suksesit, por megjithatë ekzistojnë disa tipare, të cilat gratë e suksesshme i posedojnë, në profile të ndryshme të jetës, qoftë si vajza, gra, bashkëshorte, nëna, punonjëse apo lidere. Sot, vëmendje do t’i kushtojmë 2 grave të suksesshme në fushën e gazetarisë, të cilat me talentin, punën dhe profesionalizmin e tyre qysh në moshën e hershme por dhe sot e kësaj dite, njihen ndër gazetaret më në zë, në vend. Në një prononcim për Radio KFOR-in, Jehona Zhitia, gazetare dhe redaktore në RTK dhe Zorica Vorgucic, gazetare dhe redaktore në RTV Kim, ndajnë me ne, posaçërisht me vajzat e reja e ambicioze, mënyrën e duhur të jetësimit në praktikë të profesionit që duan ta ushtrojnë gjatë jetës dhe ofrojnë këshilla të vyera në këtë aspekt.
“Kanë kaluar dy dekada prej se merrem me gazetari, profesion ky sa fisnik aq delikat dhe i ndjeshëm. Sigurisht që nuk do të mbijetoja gjatë në këtë profesion, sikur mos ta doja fort, pavarësisht sfidave nëpër të cilat kalova ndër vite. Ndonëse kishte raste kur dëshpërohesha, e nesërmja më gjente edhe më të fortë, për të vazhduar këtë rrugëtim sfidues. Dashuria e madhe për punën time, më bënte të tejkaloj çdo gjë. Njësoj ndihem edhe sot, nuk lodhem asnjëherë së shërbyeri qytetarëve të vendit tonë, duke e sjell tek ta informacionin e besueshëm dhe mirë të konfirmuar. Kohës i mbijetojnë vetëm të fortët, prandaj edhe gazetarët duhet të jenë të tillë”, ka nënvizuar Jehona Zhitia.
“Përveç se ushtroj profesionin e gazetarisë dhe po ashtu jam redaktore në mediumin ku punoj, unë gjithashtu jam pronare e një birrarie. Edhe pse profesione krejtësisht të kundërta nga njëra tjetra, unë mundohem që punët e mia t’i realizoj me sa më shumë përkushtim dhe profesionalizëm. Suksesi është i garantuar, vetëm atëherë kur bëni punën që doni dhe kur jeni të përkushtuar ndaj saj”, ka thënë Zorica Vorgucic.
Siç ka pohuar edhe personaliteti më i njohur televiziv botëror, Oprah Winfrey – “Ti nuk duhet të bazohesh në rrethana, ti je vet mundësia, e nëse këtë e di, do ti arrish majat”.