Ditëve të fundit në vendin tonë është shënuar rritje e rasteve të infektimeve me COVID-19. Për të kuptuar se cila është gjendja aktuale me pandeminë në vend, Radio KFOR-i ka zhvilluar një intervistë me Udhëheqësin e Divizionit për Komunikim me Publikun në Ministrinë e Shëndetësisë (MSh), z. Faik Hoti, i cili tregoi statistikat e fundit të të infektuarve me COVID-19, vaksinave të administruara dhe numrin e personave të shtruar në spital: “Sa i përket raportit të fundit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës (IKShPK), në përditësimin e fundit të dalë në ora 15:00 dje pra më 13 janar 2002, tregojnë se nga 5.881 testime, kemi pasur 427 raste që kanë rezultuar pozitivë në SARSCOv2, me një shkallë të personave pozitiv me kovid, diku 7.26% që flet për një ngritje graduale të rasteve me COVID-19. Ditën e djeshme fatkeqësisht kemi pasur 2 raste vdekjesh, nga i njëjti raport kemi 31 qytetarë të shëruar, ndërkohë që kemi në total rreth 3.000 raste aktive në vend. Sa i përket shifrave të vaksinimit ditëve të fundit shohim një rritje të interesimit të qytetarëve për t’u vaksinuar, sidomos me dozën përforcuese dhe dozën e tretë. Deri tash kemi në total 1.708.670 doza të administruara, prej të cilave 887.197 doza janë doza të para, kemi 794.748 doza të dyta ndërsa së fundmi kemi 2.147 doza të treta të administruara dhe 27.323 doza përforcuese, nëse këto shifra i përkthejmë në përqindjen e vaksinimit, shohim që në nivel të popullatës i bie që 50% e kanë marr një dozë, ndërsa rreth 45% me të dyja dozat. Nëse flasim me statistika për nivelin e vaksinimit në kuadër të grup moshës mbi 18 vjeç, të dhënat tregojnë që kemi 67.87% të qytetarëve që kanë marr nga një dozë dhe 61.56% të atyre që kanë marr dy doza të vaksinës kundër-kovidit. Rritja e numrit të rasteve të reja me COVID-19 rezulton edhe me një ngritje të lehtë të pacientëve të shtrirë në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, sipas raportit të ri, shihet që kemi 61 pacientë në trajtim prej të cilëve 36 janë konfirmuar me COVid-19, një prej tyre është në kujdes intensiv, ndërsa 25 prej tyre janë me oksigjeno-terapi. Kjo tregon që përkundër rritjes së rasteve pozitive me COVID-19, ngarkesa spitalore është ende e ulët, që është një tregues i mirë dhe që flet që OMICRON edhe pse ka shtrirje të shpejtë, në aspektin klinik ka një simptomatologji më të lehtë ose të ngjashme me variantet tjera.”
Z.Hoti gjithashtu bëri thirrje për vaksinim dhe respektim të masave anti-kovid nga të gjithë qytetarët e Kosovës, pasi vetëm kështu do të mundemi që më lehtë të parandalojmë përhapjen e COVID-19 dhe të krijohen kushte për lehtësime të masave.