Përveç shkollimit, shumë prindër preferojnë që fëmijët e tyre t’i angazhojnë në kurse të ndryshme, për të zhvilluar akoma më shumë imagjinatën e tyre dhe për të rritur kreativitetin.
Angazhimi i fëmijëve deri në moshën 12 vjeçare, shihet si diçka shumë pozitive nga psikologët, të cilët megjithatë kanë disa këshilla për prindërit kur ata vendosin për kurset që do të vijojnë fëmijët e tyre. Radio KFOR-i ka kontaktuar Mr. Sci. Enver Çesko, psikolog dhe njëherazi psikoterapeut ndërkombëtar, i cili tha: “Për çdo kurs që i ofrohet fëmijës, duhet të merren në konsideratë disa faktorë. Faktori kyç është ai i fushës së interesimit të fëmijës dhe talentit të tij. Pavarësisht nga talenti dhe interesimi i fëmijës, duhet të orientohet edhe avansimi i aftësive të tyre. Pra, fëmijët duhet të ndjekin mësime plotësuese për zhvillimin e aftësive që kanë. Megjithatë, nëse prindërit vërejnë ndonjë mosinteresim apo ngecje në zhvillimin e aftësive mësimore dhe dëshirojnë të arrijnë një nivel të caktuar, atëherë preferohet të bëjnë zgjidhje për përforcimin e njohurive të tyre. Gabimet më të mëdha të prindërve në zgjedhjen e kurseve të ndryshme është se nuk e marrin në konsideratë talentin e fëmijëve të tyre, por po e marrin parasysh atë ku fëmijët janë më të dobët. Familjarët mundohen të japin përforcime në lëndë të caktuara, si matematikë apo gjuhë, qoftë amtare, apo të huaj. Këto dy mësime janë më të preferuara, sepse mendohet që nëse fëmija është i fortë në matematikë, atëherë ai do zhvillohet në të gjithë fushat. Apo mendojnë se njohja e më shumë gjuhëve do t’ju japë përparësi në jetë. Por, s’ka ndonjë barometër se kjo është e saktë.”
Në fund të bisedës me Radio KFOR-in, në lidhje me hapat që duhet të ndjekin prindërit kur zgjedhin kurse për fëmijët e tyre Mr. Sci. Çesko, thekson: “Tek ne edhe sistemi edukativ nuk jep hapësirë sa duhet për zhvillimin e aftësive profesionale tek fëmijët. Mosha nga 10 deri në 12 vjeç është koha kur te fëmijët dalin aftësi se ku mund të orientohen në të ardhmen.”