Tri artiste janë bashkuar për të hapur një ekspozitë të përbashkët, që përfshinë pjesë nga jeta e tyre. Ekspozita ‘Mozaiku i jetës’, nga artistet Shkurte Ramushi, Besjana Kryeziu dhe Leoneta Abdyli do të hapet më 28 shtator, në Tiranë. “Mozaiku i jetës” bashkon këto artiste, duke ndarë tregimet e tyre nëpërmes artit. Njëra përfaqëson trashëgiminë arkitekturore të jetës, tjetra peizazhin, rrugët dhe mallin e vendlindjes, kurse e treta parajsën tokësore të natyrës.
Në një intervistë për Radio KFOR-in artistja, Shkurte Ramushi tregoi se si u inspiruan për të sjellur në jetë veprat e tyre artistike:
“Inspirimi për arritjen e punimeve ishin vetë këto objekte që na rrethuan, e disa prej tyre ekzistojnë ende, objekte këto të cilat ndër vite i mbijetuan kohës e periudhave të ndryshme. Duke e ditur se shumë familje i trashëguan këto shtëpi banimi, më ngjallte një interes të madh për të gjurmuar më tej, për të përjetuar jetën e dikurshme. Kam hasur në disa shtëpi që ende ishin të mbushura me familjarë, me zëra fëmijësh që e gjallëronin atë shtëpi të dërrmuar nga vitet, të trashëguar nga paraardhësit e tyre, por fatkeqësisht jetonin një jetë të rrezikuar nga shembjet, e kjo më emocionoi shumë, përveç që ruanin trashëgiminë nga të parët, ata nuk kishin zgjidhje tjetër, për shkak të gjendjes financiare për ta rinovuar atë thesar që ua lanë trashëgim”.
Artistet kanë mënyra të ndryshme të punës, por tekniken e kanë të njëjtë. Të gjitha pikturat janë të realizuara në teknikën vaj në pëlhurë, me dimensione të ndryshme.