Nën udhëheqjen e OSBE-së dhe në bashkëpunim me Universitetin “Vienna Master of Arts”, pritet të fillojë “Akademia e Rinisë”, në formë të një kursi tre-javor të studimeve intensive, me ligjërata dhe punëtori inter-aktive, të mbajtura çdo të hënë, të mërkurë dhe të premte, nga data 28 shtator deri më 16 tetor 2020. Për të dytin vit me radhë, kjo ngjarje mbledh akademikë ndërkombëtarë, ekspertë dhe mbrojtës të të drejtave të njeriut, në përpjekje për të sjellë perspektiva ndërkombëtare në trajtimin e çështjeve lokale.
Lidhur me këtë organizim, Radio KFOR-i kontaktoi Shehida Miftari, nga Departamenti për të Drejtat e Njeriut, në kuadër të OSBE-së, e cila theksoi rëndësinë e mbajtjes së këtij aktiviteti: “Qëllimi i aktivitetit është t’iu ofrohet mundësi të rinjve të Kosovës, nga të gjitha komunitete,t që të mësojnë më shumë se si t’i trajtojnë çështjet për të cilat janë të shqetësuar, pavarësisht prejardhjes së tyre, komunitetit, apo cilën gjuhë e flasin. Do të mësojnë edhe për të drejtat e njeriut, do të mësojnë më shumë për njëri-tjetrin, ku do të jetë një mundësi e mirë për të krijuar shoqëri, pa dallim se ku jetojnë apo çfarë gjuhe e flasin. Kështu që, të rinjtë i inkurajojmë të aplikojnë dhe mos ta humbin këtë mundësi të mirë.”
Nëse jeni një student ose një i sapo diplomuar dhe doni të mësoni më shumë rreth sfidave të të drejtave të njeriut, të merrni njohuri nga ekspert vendor dhe ndërkombëtar, apo edhe te krijoni shoqëri me të rinj të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë, atëherë ju mund të aplikoni, deri më 20 shtator, në këtë adresë elektronike: https://docs.google.com/…/1FAIpQLScGVpOVCjo_wellq…/viewform…