Bazuar në ‘Planin e Veprimit për Punësimin e të Rinjve 2018-2020’, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka ftuar të rinjtë e moshave 18-24 vjeç, që të aplikojnë për grante për start-up.
Për këto grante mund të aplikojnë të gjithë ata që kanë përfunduar trajnimet për ndërmarrësi gjatë vitit 2020 nga kjo Ministri, ndërsa objektivi kryesor i programit është që të sigurojë mundësi për të rinjtë e papunë për ta nisur një veprimtari biznesi dhe ndër të tjera thuhet: “Grantet do të përdoren për të mbështetur krijimin e ndërmarrjeve të reja inovative dhe promovimin e punësimit të të rinjve, të cilët dëshmojnë që mjetet e ndara do të ndikojnë në: zvogëlimin e papunësisë përmes krijimit të vendeve të reja të punës, me theks të veçantë për të rinjtë, aktivitetet prodhuese dhe shërbyese, hapjen e vendeve të reja të punës, investimin në hulumtim dhe zhvillim, rritjen e konkurrueshmërisë dhe kapaciteteve, përmirësimin e proceseve dhe zhvillimin e produkteve të reja, si dhe ngritjen e nivelit të pjesëmarrjes së të rinjve në të bërit biznes”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Kjo Ministri ka njoftuar se veprimtaritë prioritare që do të mbështeten nga ky program do të jenë: sektorët prodhues dhe të shërbimit, sektorët e teknologjisë informative dhe komunikimit, sektori i industrisë së lehtë, industria e tekstilit, sektori i turizmit, e të tjera. Skema e Ndërmarrësisë do të sigurojë ndihmë me grante në vlerë deri në 5,000 euro për çdo plan biznesi të zhvilluar me sukses, që është miratuar në kuadër të procesit të përzgjedhjes. Afati i fundit për dorëzimin e propozimeve është deri më 09 tetor 2020, ora 15:00.