Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka marrë vendim që të ndërpritet mësimi plotësues për nxënësit e klasave të 9-ta, të cilët po përgatiteshin për mbajtjen e Testit të Arritshmërisë.
Në një njoftim për media thuhet se Ministri i MASH-it, Ramë Likaj, ka marrë një vendim të tillë, si masë parandaluese dhe mbrojtëse për shëndetin e fëmijëve, mësimdhënësve, stafit të angazhuar dhe familjeve të tyre.
Sipas të njëjtit njoftim, vendimi është marrë për shkak të situatës së re që është krijuar nga shtimi i rasteve pozitive me ‘Covid – 19’. Po ashtu, bazuar në informatat e pranuara nga terreni, MASH-i ka konstatuar se nuk po respektohen disa nga masat mbrojtëse nga pandemia, si: distanca fizike, mbajtja e maskave, mbajtja e higjienës personale dhe matja e temperaturës.
“MASh është e përkushtuar me të gjitha kapacitetet dhe mundësitë për përkrahje të DKA-ve (Drejtoritë Komunale të Arsimit), për përfundimin me sukses të vitit shkollor 2019/2020, të vetëdijshëm për sfidat me të cilat po përballemi në kohë pandemie”, përfundon njoftimi.