Për të pestin vit me radhë, në Kosovë do të mbahet mini-maratona ‘Vrapo Babadimër’, e cila për shkak të situatës që ka krijuar pandemia ‘CoViD-19’, këtë herë do të mbahet në mënyrë virtuale.
Themeluesi i organizatës jo-qeveritare ‘Projekti 5 Cent’, Jusuf Islami, për Radio KFOR-in ka bërë të ditur se kjo mini-maratonë këtë vit do të mbahet më 13 dhjetor, ndërsa shitja e kostumeve të babadimrit, e cila ka filluar më 30 nëntor, po bëhet çdo ditë, nga ora 11:00 deri në orën 18:00, në sheshin e kryeqytetit dhe shtoi: “Shitja e kostumeve do të bëhet qoftë për fëmijë apo për të rritur, sepse nuk ka moshë që e përcakton këtë garë dhe këtë kauzë humanitare. Shitja e kostumeve do të bëhet fizikisht në shesh, por edhe online përmes postës ‘Mikmik’. Këtë vit, nuk do të ketë tubim në shesh, siç jemi mësuar çdo vit, por njerëzit do të vrapojnë apo do të ecin nëpër vende të ndryshme, duke respektuar masat që jep Ministria e Shëndetësisë. Edhe këtë vit po ka interesim për blerjen e kostumeve. Kostumi i babadimrit për fëmijë dhe të rritur vjen me një medalje, një numër maratonik dhe një maskë antikovid.”
Në kampanjën humanitare ‘Vrapo babadimër’, tash e disa vite kontribuojnë edhe ushtarakët e KFOR-it, për çka z. Islami u shpreh shumë falënderues: “Tash e disa vite kemi bashkëpunim shumë të mirë edhe me KFOR-in në mini-maratonë, andaj jemi shumë falënderues. Vitin e kaluar e kemi pasur edhe Komandantin e KFOR-it, i cili na ka nderuar dhe i ka pëlqyer shumë si kauzë. Thirrja jonë është që të dalin kush ka mundësi, të blejnë një kostum për vete e për familje dhe ditën e maratonës le të dalin, të ecin ose të vrapojnë ku kanë mundësi dhe të na dërgojnë fotografitë në rrjete sociale, me thurje apo hashtag #vrapobabadimer. Të gjitha fotot do t’i publikojmë. Do të jetë një atmosferë e këndshme.”
Në fund, Islami ka falënderuar edhe Ministrinë e Kulturës, e cila këtë vit po e përkrah këtë kauzë. Vitin e kaluar, pjesëmarrës të mini-maratonës kanë qenë afër 2 mijë fëmijë e të rritur, ndërsa me të hollat e grumbulluara janë ndihmuar 700 familje.