Organizata joqeveritare ‘ETEA’ në bashkëpunim me ‘Kuvendin e të Rinjve të Prishtinës’ kanë synim që 12 lagje të Prishtinës t’i bëjnë me mini-biblioteka.
Duke u bazuar se secila lagje meriton një kënd të librit dhe se ekspozimi i librit ndikon direkt në nxitjen e lexueshmërisë, kjo nismë po përkrahet edhe nga ‘Forumi për Iniciativa Qytetare’, në kuadër të projektit “Sign up for impact” të Bashkimit Evropian.
Themeluesi i organizatës ‘ETEA’, Agon Ahmeti, për Radio KFOR-in tregoi se çfarë koncepti ka ky projekt:
“Mini-bibliotekat do të ofrojnë shkëmbimin e librave mes banorëve të lagjes, të cilët do të mund të shfrytëzojnë këto libra për lexim gjatë qëndrimit në lagje dhe pastaj t’i kthejnë në mini-bibliotekë. Mini-bibliotekat do të jenë të ndara në dy kategori, për fëmijë dhe për të rritur. Gjithashtu do të ketë edhe jastëkë në të cilët qytetarët mund të ulet gjatë kohës së leximit”.
Zotëri Ahmeti, na tregoi se ndërtimi i këtyre mini-bibliotekave do të fillojë në muajin shtator, gjersa kanë nevojë edhe për përkrahjen e qytetarëve, participimin e banorëve të lagjeve dhe bizneseve lokale, me mjete financiare apo edhe me libra. Çdo kontribut financiar i bërë dyfishohet në raport 1 me 1 nga fondet e Bashkimit Evropian.
Afati përfundimtar për participim është data 31 gusht 2019, e për tu njoftuar më shumë rreth detajeve mund të kontaktoni në numrin e telefonit: 044 770 767, ose t’i vizitoni këto adresa elektronike: ojq.etea@gmail.com dhe kuvendirinorprishtine@gmail.com.