Stafi i Pyllit të Arinjve Prishtina, ka menduar për disa aktivitete shumë të lezetshme për fëmijët, të cilat kanë filluar të realizohen dje, (9 shtator) dhe do të vazhdojnë edhe sot me nxënës të shkollave fillore të Kosovës.
Padyshim që secili fëmijë ka nje mik (arush) të tillë të dashur, që e ruan me shumë xhelozi, prandaj përmes këtyre aktiviteteve atraktive, të gjithë prindërit e fëmijëve të interesuar patën mundësi që këto lodra (arushe) t’i dërgojnë në strehimore dhe pa pagesë të argëtohen në pyll, me arinj të vërtetë.
Sa ka qenë interesimi i prindërve dhe fëmijëve për pjesëmarrje në këtë aktivitet, ne kontaktuam menaxheren e ngjarjes, Juna Gjovari, e cila për Radio KFOR-in zbuloi këto detaje.
“Të gjithe fëmijët që kanë sjellur “arushin” e tyre me vete apo që i kanë blerë në dyqanin e Pyllit janë argëtuar dhe po argëtohen edhe sot përmes vizitës së arinjve, bërjes piknik në njërën prej hapësirave të strehimores, leximit të tregimit rreth krijimit, emërtimit të “teddy bear” si dhe përmes kurioziteteve të ndryshme rreth Arushëve pelush nga një Njeri/Ari shumë i veçantë”.
Përmes kësaj ngjarjeje, të gjithë fëmijët e pranishëm, të shoqëruar nga prindërit, shijuan momente mbresëlënëse, jo vetëm duke mësuar më shumë për arushët dhe jetën që ata bëjnë në këtë pyll, por edhe duke u argëtuar jashtëzakonisht shumë.