Mezzo-sopranoja e njohur nga Gjakova, Flaka Goranci, pjesëmarrëse në skenat më prestigjioze të operas në botë, më 8 tetor do të mbaj një koncert në Prishtinë, në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare të Kosovës.
Ky koncert realizohet me rastin e 5-vjetorit të themelimit të ‘KultPlus’, ndërsa Radio KFOR-i, i cili poashtu vazhdimisht përkrah e promovon artistët dhe ngjarjet me vlerë, me të kuptuar këtë lajm, ka kontaktuar protagonisten e kësaj ngjarjeje, mezzo-sopranon Flaka Goranci, për të mësuar më shumë rreth këtij koncerti:
“Pjesa e parë e mbrëmjes do të përmbaj një rrëfim nga jeta ime dhe arritjet e mia në përgjithësi, kurse pjesa e dytë do të përmbaj koncert recital me vepra nga repertoari botëror e poashtu ai shqiptar si dhe këngë të përzgjedhura nga albumi im ‘Albanian FloWers’. Ndjehem shumë e nderuar për këtë ftesë që më është bërë”,tha ndër të tjera, Goranci.
Të gjithë dashamirët e artit dhe kulturës, më 8 tetor i pret një koncert mbresëlënës, me muzikë, diskutim dhe shumë vlera.