Jo rastësisht thuhet që një mësues i mirë është si një qiri, konsumon vetveten për t`ua ndriçuar rrugën të tjerëve, e pikërisht kështu janë mësuesit dhe mësueset, të cilët dijen e fituar, e përcjellin tek brezat e rinj, nxënësit e tyre. Data e sotme (7 marsi), është pikërisht festa e mësuesit, ku të gjithë njëzëri i falënderojmë ata dhe u themi që jemi mirënjohës për kontributin e tyre, karshi arsimimit dhe edukimit tonë e të fëmijëve tanë.
Mësuesja Mynavere Krasniqi, në një prononcim dhënë Radio KFOR-it, ndjehet me fat që ushtron këtë profesion fisnik dhe që është gjithmonë prezentë për tu dhënë arsimimin e duhur nxënësve të saj: “Edhe pse gjeneratat e sotme janë krejtësisht tjera nga gjeneratat e kaluara, të cilëve po ashtu u kemi dhënë mësim, megjithatë unë vazhdoj ta bëjë punën time sublime me shumë përkushtim dhe ndjehem me fat që shumë breza më drejtohen me epitetin mësuese”, është shprehur znj. Krasniqi.
Kujtojmë se kjo ditë përkujtohet si një ngjarje me rëndësi kulturore e historike si një ditë kur të gjithë së bashku kujtojëë mësuesit e parë, që na mësuan shkronjat e para shqipe.Hapja e shkollës së parë shqipe është bërë me datën 7 Mars, të vitit 1887, në Korçë, për të cilën dhanë kontributin e tyre vëllezërit Sami, Abdyl dhe Naim Frashëri.