Dhënia e ndihmës për të gjithë ata që janë në nevojë, është një nga veprimet më humane të njerëzve në botë. Andaj, është e rëndësishme që një gjë të tillë t’ua mësojmë edhe fëmijëve, qysh nga moshat e hershme. Eksperimente të shumta sociale që janë kryer ndër vite nëpër botë kanë rezultuar se të mësuarit rreth dhënies dhe ndihmës ndaj të tjerëve u jep fëmijëve një ndjenjë fuqizimi në një botë të pasigurt ku ndodhin ngjarje të papritura.
Andaj, në vazhdim Radio KFOR-i sjell tek ju, disa mënyra që ju mund t’i përdorni për t’ua mësuar fëmijëve idenë e bamirësisë:
– Bëni aktivitete familjare – inkurajoni të gjithë në shtëpinë tuaj të marrin pjesë në aktivitete vullnetare dhe lavdëroni fëmijët tuaj kur bëjnë veprime të tilla.
– Mësoni bamirësinë tek fëmijët rreth moshës tre ose katër vjeç – në këtë kohë, fëmijët mund të zhvillojnë ndjenjën e ndjeshmërisë, e cila është baza e bamirësisë.
– Krijoni një mjedis familjar ku bamirësia është një ngjarje e natyrshme dhe e inkurajuar – përfshini fëmijët tuaj në aktivitetet tuaja vullnetare ose bamirësie. Kur fëmija ju sheh juve duke bërë gjeste bamirësie, ai përforcon sjelljen e mirë.
– Mbani një kuti bamirëse në shtëpi – kjo iu dëshmon fëmijëve se edhe pak para mund të bëjnë ndryshim, kur ato kanë qëllim të mirë. Nxitini ata të dhurojnë furnizime shkollore dhe veshje për fëmijët e tjerë në nevojë.
– Përfshini fëmijët në shembuj konkret të bamirësisë – për shembull, ata e dinë se i duan lodrat e tyre të preferuara, kështu që ju mund t’u shpjegoni atyre se jo të gjithë janë me fat që kanë lodra për të luajtur. Inkurajimi i tyre për të dhuruar lodrat do t’i ndihmojë të shohin ndryshimin e vërtetë që bëjnë në jetën e njerëzve të tjerë.