Që nga marsi i këtij viti, kur tek ne, u paraqiten rastet e para me virusin COVID-19, një nga masat e marra për parandalimin e këtij virusi, ishte edhe mbyllja e shkollave, për të vazhduar tutje me mësimin online.
Mirëpo përveç nxënësve dhe mësimdhënësve, mësimi online ishte një sfidë e madhe edhe për prindërit, të cilët luajtën një rol të rëndësishëm, duke kontribuar në trekëndëshin mësues-nxënës-prindër.
Për të ditur se sa i vështirë ishte roli i prindërve, Radio KFOR-i kontaktoi dy nëna të cilat treguan për këtë formë mësimi:
– “Përshëndetje, unë jam Velime Hetemi, për mua si nënë nuk ka qenë e lehtë, sepse është dashur të merrem me fëmijët, duke i përkrahur, duke iu ofruar kushte të duhura, teknologjinë si dhe hapësirën e nevojshme në shtëpi, në mënyrë që ata mos ta pengonin njëri-tjetrin.”
– “Përshëndetje, jam Mentore Gashi, për mua si nënë nuk ka qenë edhe lehtë, ku pas tetë orëve në punë, kam qenë e detyruar të merrem me vajzën, për t’ia shpjeguar detyrat që ka pasur raste që nuk i ka kuptuar edhe aq mirë. Edhe pse ishte ngarkesë për mua, unë jam e lumtur që prapë se prapë fëmijët tanë kanë arritur të mësojnë diçka nga lëndët mësimore dhe nga teknologjia.”
Të mësuarit online, është një risi dhe sfidë për fëmijët, prindërit dhe mësimdhënësit, të cilët vetëm duke bashkëpunuar me njëri tjetrin mund të përballojnë çdo vështirësi.