Festivali “Meeting of Style Kosovo”, është gati për edicionin e katërt me radhë, që do të mbahet nga data 28 deri më 30 gusht. Përgjegjësja për komunikim e festivalit, Znj. Dea Balaj, në një intervistë për Radio KFOR-in, ka treguar se sivjet festivali vjen i ristrukturuar dhe i përshtatur edhe me gjendjen në të cilën ndodhet bota për shkak të pandemisë së COVID-19: “Aspekti mural i punimeve do të bëhet tek rreth rrotullimi kryesor i Prishtinës, që e lidhë kryeqytetin me Mitrovicën dhe Fushë Kosovën, mirëpo do të kemi një numër të limituar të artistëve të grafitit dhe numër të limituar të aktiviteteve fizike me qytetarët, të cilët mund të vijnë dhe ta shohin punën artistike. Kjo vjen si rezultat i zhvendosjes së disa aktiviteteve, në aktivitete online, pasi që shumica e artistëve pjesëmarrës në këtë edicion janë ndërkombëtarë (vitin e kaluar kemi pasur 200 artistë nga mbarë bota), prandaj duke mos e ditur për vijueshmërinë e masave pandemike, ne kemi vendosur që ata të cilët mund të vijnë në Kosovë janë të mirëpritur që t’i realizojnë rreth 50 murale, përderisa kemi edhe dy aktivitete të tjera që do të mbahen online.”
Sipas Znj. Balaj, ndër aktivitetet online janë realizmi i grafiteve, ku artistë nga e mbarë bota, të cilët nuk mund të jenë prezent në Kosovë, do të mund të realizojnë grafite virtuale me fotot e mureve të Prishtinës e po ashtu do të ketë edhe një garë virtuale për tekst shkruesit dhe kompozitorët e muzikës hip-hop, të cilët do të publikojnë krijimet e tyre online përmes “Meeting of Style” dhe do të bëhet një garë që do të zgjedhin edhe fituesin.
Më tej Znj. Balaj, gjithashtu ftoi të gjithë artistët vendorë, pa dallim etnie, që t’i bashkohen festivalit në edicionin e katërt me radhë: “I ftojmë të gjithë artistët e rinj, studentët e arkitekturës, dizajnit grafik dhe të akademisë së arteve, që të na shoqërojnë në festivalin tonë. Qendra jonë ‘Q’art’, është OJQ dhe qëllimi i saj është që ne të ofrojmë forma të bukura të kultivimit urban, prandaj i ftojmë të gjithë që të na bashkohen në këtë udhëtim të bukur.”
Për detaje të tjera rreth festivalit “Meeting of Style Kosovo”, ju mund të klikoni në linkun e faqes së tyre, në rrjetin social ‘Facebook’: https://www.facebook.com/MOSkosovo/posts/2569926743265595