Sot, kudo në botë të gjitha mamitë festojnë ‘Ditën Ndërkombëtare të Mamive’, e cila shënohet çdo vit, më 5 maj. Edhe Kosova ka Shoqatën e saj të Mamive, e cila punon për definimin dhe fuqizimin e rolit të mamive në Kosovë, për të promovuar respektimin e të drejtave të mamive, për t’i mbrojtur ato nga padrejtësitë eventuale gjatë ushtrimit të profesionit, për të zhvilluar të drejtat e tyre, për të rritur pjesëmarrjen e tyre në aktivitete të ndryshme në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, nëpërmjet lobimit dhe avokatësisë, përmirësimit të politikave dhe legjislacionit, ngritjes së kapaciteteve, informimit dhe hulumtimit, si dhe krijimit të modeleve më të mira të shërbimeve cilësore.
Radio KFOR-i ka realizuar një Intervistë me Kryetaren e Shoqatës së Mamive të Kosovës, Magbule Elezi, nga e cila shkëputëm paragrafin kur ajo flet për rolin që kanë mamitë në jetën e gruas dhe të fëmijës:
“Mamia është përgjegjëse profesionale për raporte me gruan në mënyrë që ti jep asaj mbështetjen e nevojshme, përkujdesjen dhe këshillat gjatë shtatzënësisë, lindjes dhe periudhës pas lindjes, të kryej lindjen me përgjegjësinë e saj si mami dhe të ofroj përkujdesje pas lindjes”, tha mes tjerash znj. Elezi.
Që nga viti 1992 ‘Dita Ndërkombëtare e Mamive’, trajton tema vetëdijësuese për të motivuar anëtarët e saj, partnerët dhe palët e interesuara për të rritur ndërgjegjësimin për statusin e mamive dhe kujdesin thelbësor që ato u japin nënave dhe të sapolindurve të tyre.
Tema e sivjetme e shënimit të kësaj dite është ”Mamitë, Mbrojtëset e të Drejtave të Grave”.