Revista “Kosovo 2.0” do të lansojë nesër (31 tetor) monografinë e tyre të fundit “Arsimi për Jetë”, me një diskutim të hapur që do të fillojë prej orës 18:00, në Librarinë Dukagjini.
Në këtë diskutim të hapur do të dëgjohen histori personale të ndryshimit dhe inovacionit në arsim nga Rron Gjinovci nga “ORCA”, Jehona Gjurgjeala nga “TOKA” dhe Rrezearta Zhinipotoku Behluli nga “GIZ”.
Redaktorja menaxheriale në Revistën Kosovo 2.0, Iliriana Banjska, për Radio KFOR-in ka treguar arsyen e publikimit të kësaj monografie mbi edukimin.
“Arsyja pse kemi vendos me publiku nje mongrafi mbi edukimin është sepse kemi menduar që ka ardhur koha për me fol për edukimin në një nivel tjetër. Është folur shumë për rezultatet e PISA-s, por, e kemi pa një mungesë në të gjithë këtë diskurs të një diskutimi më të mirëfilltë, i cili e trajton cilësinë e arsimit në nivele të ndryshme dhe një perspektivë mbi arsimin si edukim. Përtej kësaj, kemi pas dëshirë të trajtojmë edukimin përmes një prizmi, i cili e vlerëson apo rishikon edukimin në Kosovë, në lidhje me atë se sa i pajisë qytetarët me aftësi të ndryshme për të jetuar një jetë sa më të mirë”, tha Banjska për Radio KFOR-in.
Kjo ngjarje realizohet me mbështetjen financiare nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Kosovë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur – KFOS.