Në prani të përfaqësuesve të KFOR-it, përfaqësuesve të Kuvendit Komunal të Obiliqit si dhe në pranit të dy drejtorëve të shkollave fillore “Pandeli Sotiri” dhe “Sveti Sava”, u përurua fusha e basketit e cila do të përdoret nga nxënësit e fshatit Plemetin.
“Falë kontributit të KFOR-it, fëmijët e të dy shkollave, të cilët shfrytëzojnë të njëjtin oborr, do të kenë kushte më të mira për të luajtur basket”, kështu tha drejtor i Shkollës “Pandeli Sotiri” , Bedri Neziri si dhe theks të veçantë i dha bashkëpunimit që kanë mes vete: “Bashkëpunimi është jashtëzakonisht i sinqertë, nuk ka dallime. Unë mendoj se jemi një shkollë model, ku me veprimet tona kemi bërë që të kemi raporte të mira kolegjiale si dhe në mes të nxënësve. Fëmijët tanë nuk i edukojmë në atë mënyrë që t’i mbushim urrejtje, por ofrojmë respekt, dashuri, mirëkuptim dhe bashkëpunim.”
Një mendim të tillë e kishte edhe Drejtoresha e shkollës fillore “Sveti Sava”, zonja Suncica Zarkovic: “Kjo fushë sporti do të thotë shumë për fëmijët e të dyja palëve, sepse ata do të kenë kushte më të mira për të luajtur. Unë punoj këtu dhe vërtet është mirë, nuk ka probleme dhe shpresoj se nuk do të ketë as në të ardhmen, derisa qëndrojmë këtu, studiojmë, punojmë dhe shoqërohemi së bashku.”
Falë këtij projekti të realizuar, tani e tutje, fëmijët e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Plemetin, do të kenë kushte më të mira për të mësuar dhe për t’u argëtuar.
I pranishëm në këtë ceremoni të përurimit të fushës së basketit ishte edhe zëvendëskomandanti i Komandës Rajonale të Lindjes-KFOR, Koloneli, Hoback, i cili theksoi: “Aktualisht jemi te këto dy shkolla ku në emër të KFOR-it, u kemi ofruar një fushë të basketbollit. Ne e kemi bërë këtë për të inkurajuar angazhimin ndëretnik të fëmijëve, sepse këtu kemi dy shkolla të komuniteteve në të njëjtin oborr. Ne u inkurajuam nga një gjë e tillë dhe jemi shumë të lumtur që kemi pasur mundësi t’i ndihmojmë këto shkolla. KFOR-i ka bërë një investim për të ardhmen e fëmijëve të Kosovës. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme; fëmijët janë të rëndësishëm, ata janë e ardhmja, prandaj KFOR-i e merr seriozisht arsimin e fëmijëve. Ne e vlerësojmë mundësinë që t’i ndihmojmë ata në edukimin e tyre, t’i ndihmojmë ata në atletikë për ta mbajtur mirë shëndetin e tyre. Ne i inkurajojmë ata që të bëhen bashkë me njëri-tjetrin. Shpresojmë që ata do ta shijojnë këtë fushë të re, sepse do të jetë një mundësi e shkëlqyer për ta përdorur atë.”
Përveç ofrimit të paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë, KFOR-i është duke kontribuar edhe në mbështetjen e programeve për të rinjtë e të gjitha komuniteteve që jetojnë këtu.