Shifrat e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK) tregojnë se javëve të fundit, Kosova ka shënuar rënie të të prekurve me ‘CoViD-19’.
Infektologu, Dr. Arben Vishaj, për Radio KFOR-in ka bërë të ditur se edhe në Klinikën Infektive vërehet një rënie e frekuencës së pacientëve që janë të shtrirë dhe kërkojnë shërbime mjekësore, megjithatë ai ka apeluar për kujdes të shtuar ditëve në vijim: “Edhe numri i pacientëve që kërkojnë ndihmë në Ambulancën e Pranimit ka pësuar një rënie të lehtë, mirëpo edhe pse këto shifra janë të mira për momentin, ne vëmendje duhet secilën herë ta fokusojmë parandalimin e përhapjes së infeksionit, si mënyra e vetme e mbrojtjes ndaj kësaj sëmundje. Pra, edhe pse ka filluar të bie numri i rasteve pozitive, vetëdija jonë në përdorimin e maskave dhe respektimin e masave tjera, duhet të rritet sa më shumë. Kjo rënie mund të jetë e përkohshme dhe mundësia e paraqitjes së kësaj sëmundje, e cila shumë herë na ka befasuar, ekziston. Pra, rreziku është i njëjtë, andaj do të doja t’i lus qytetarët që të kenë një vetëdije më të madhe ditëve në vijim sepse mund të kemi sërish përhapje të virusit, andaj edhe ne të jemi sa më sy çelë në drejtim të parandalimit dhe kontrollit të CoViD-19”.
Numri i rasteve aktive me ‘CoViD-19’ në Kosovë është 7.600 raste, me 1.355 raste të vdekjeve dhe 43.378 raste të personave të shëruar nga kjo pandemi. Së fundmi IKSHPK-ja ka apeluar të gjithë qytetarët që të shfrytëzojnë qendrat rajonale të shëndetësisë publike në Kosovë për t’u testuar, sipas indikacioneve epidemiologjike.