Kujdestarët e arinjve në “Pyllin e Arinjve” në Prishtinë, çdo herë kujdesen për jetesën dhe shujtat që ua ofrojnë atyre, por nesër më 12 Korrik, do të organizohet një aktivitet ku përveç kujdestareve mund të ketë edhe të interesuar të tjerë që do të përkujdesen për këta arinj.
Aktiviteti në fjalë ka të bëjë me mbledhjen e frutave të egra. Rreth këtij aktiviteti ne biseduam me përfaqësuesen e “Parkut të Arinjve”, Zana Aqifi e cila i ftoi të gjithë që të marrin pjesë në mbledhjen e frutave të egra.
“Të gjithë të marrin pjesë në hapësirën përreth parkut e cila është një hapësirë e madhe, përreth 16 hektarë. Aty ka lloj-lloj fruta të egra të cilat do t’i hynin në punë arinjve për ushqim. Ky është një aktivitet shumë interesant dhe shumë simbolik. Ju mund të vini e të kaloni një kohë të mrekullueshme, në natyrë, në afërsi të liqenit të Badovcit e në të njëjtën kohë do t’i ndihmoni direkt këtyre arinjve”.
Zana Aqifi enkas për Radio KFOR-in në fund të bisedës tregoi se të gjithë pjesëmarrësit që do të mbledhin fruta të egra do të ndahen në tri grupe dhe grupi që grumbullon më shumë fruta do të shpërblehet.