Në vazhdën e aktiviteteve të njëpasnjëshme atraktive që realizohen në Pyllin e Arinjve Prishtina, kësaj rradhe është menduar për një aktivitet dobiprurës me simbolikë shumë domethënëse për të gjithë, pa përjashtim. Jo më kot është emërtuar “ Pylli, Miqtë e Arinjve” sepse kjo hapësirë shumë shpejt do të pyllëzohet vazhdimisht nga të gjithë ata që vizitojnë Pyllin dhe mbjellin një dru në atë hapësirë.
Radio KFOR-i kontaktoi me përgjegjësen për menaxhimin e arinjve, Albana Hotin, e cila na tregoi më shumë në lidhje me këtë aktivitet të dobishëm dhe atraktiv në të njëjtën kohë:
“Këtë ide e kemi nisur me miqtë tanë nga Ambasada e Zvicrës, të cilët kanë vendosur t’i mbjellin 6 drunjë, ku 4 prej tyre simbolizojnë 4 gjuhët zyrtare në Konfederatën Helvetike, si dhe 2 të tjerat që simbolizojnë 2 gjuhët kryesore zyrtare në Kosovë, gjuhën shqipe dhe atë serbe, dhe të gjitha të bashkuara në një vend simbolizojnë miqësinë dhe lidhjet e bashkëpunimit mes dy vendeve” theksoi Albana.
Përmes këtij aktiviteti, ku të gjithë janë të mirëseardhur, mund të kontribuohet për pasurimin e planetit me një dru më shumë të mbjellur, por njëkohësisht edhe mund të krijohet një lidhje emocionale me Pyllin e Arinjve.