‘Support. Don’t Punish’ (Mbështet. Mos Ndëshko), kjo është iniciativa botërore e cila ka trasuar rrugën e ndryshimit të qasjes për shënimin e “Ditës Ndërkombëtare të Luftës kundër Abuzimit dhe Trafikimit të Drogave’, për të cilën Kombet e Bashkuara, e kanë ndarë datën e sotme, 26 qershorin. Për të kuptuar rëndësinë e shënimit të kësaj dite dhe gjendjen e përdorimit të drogave në Kosovë, Radio KFOR-i ka intervistuar Punëtorin Social në OJQ, Qendra Labyrinth, Muharrem Ademi, i cili tha: “Shënimi i kësaj dite, viteve të fundit ka ndryshuar qasje, nga ‘Ditë Ndërkombëtare kundër Trafikimit të Drogave’ dhe është shndërru në ditën botërore për mbështetje e jo ndëshkim. Politikat ndaj drogave kanë ndryshu, qasja prej kriminalizmit dhe ndëshkimit të përdoruesve të drogave ka ndryshu, ka fillu një qasje e re që me i pa përdoruesit e drogave në aspektin e shëndetit publik dhe të të drejtave të njeriut. Pra, nga qasja ndëshkim e stigmatizim, kemi kaluar tek iniciativa e re Support Don’t Punish (Mbështet. Mos Ndëshko).” Ndërkohë, se cili është numri i përdoruesve që kanë kërkuar ndihmë në Qendrën në fjalë dhe se a ka ndikuar pandemia në shtimin e numrit të përdoruesve, z. Ademi, tha: “Vitin e kaluar në qendrën tonë kemi pasur rreth 350 persona, të cilëve u kemi dhënë trajtime/shërbime të ndryshme dhe në mesin e tyre ka pasur edhe persona që kanë ardhur për herë të parë në qendrën tonë. Numri i përdoruesve të heroinës e kemi vërejtur që gjatë pandemisë është rritur, ashtu sikurse është rritë edhe numri i përdoruesve të kokainës. Nuk ka pas shumë ndryshime në intensitetin e përdorimi të drogave, ka qenë ngjashëm me vitet paraprake. Ka qenë befasuese rritja e numrit të përdoruesve të heroinës, e cila është një drogë mjaftë varësi-krijuese.”
Çdo vit, 200.000 persona vdesin nga sëmundje që janë të shkaktuara nga përdorimi i substancave narkotike dhe sipas studimeve të ekspertëve të kësaj fushe, gjykohet se numri i personave të cilët kanë përdorur të paktën një herë substancat psiko-aktive të paligjshme, variojnë midis 40.000 deri në 60.000 persona.