“Findbug” në bashkëpunim me Kolegjin AAB sot (12 shtator) organizojnë conference rajonale në fushën e sigurisë kibernetike, ku do të trajtohen temat më interesante në fushën e sigurisë kibernetike nga top 10-shja e ekspertëve të sigurisë kibernetike në mbarë botën.
Paralel me konferencën do të mbahet edhe edicioni i pestë i punëtorisë “The day when hacking is legal” që mbledh hulumtuesit e sigurisë për një interval kohor prej tetë orësh për të raportuar zbrazëtirat e sigurisë në programet specifike të cilat do të bëhen publike në ditën e garës.
Sipas organizatorëve, pjesëmarrësit e kësaj konference dhe punëtorie do të kenë mundësi t’i dëshmojnë aftësitë e tyre, të njihen ndërkombëtarisht, të zhvillohen në karrierë, të mësojnë nga eksperienca e ekspertëve të sigurisë në mbarë botën, të garojnë për çmimin “Ethical Hacker of the Year”, të kontribuojnë në ngritjen e kapaciteteve kibernetike të vendit si dhe të kenë qasje në një buxhet prej 3000 eurosh për kontributin e tyre.
Konferenca është organizuar pas hovit të frikshëm të cenimit të sigurisë kibernetike. Organizatorët kanë përmendur disa nga veprimet që hakerët arrijnë t’i ndërmarrin, e për të cilat shumë nga ne nuk i dimë.
“Hakerët mund të menaxhojnë nga largësia automjetin tuaj, të ndalin frenat, të ngritin volumin e muzikës, të ndalin motorin, të ndërpresin nga largësia sistemin elektrik apo ngrohjen qendrore të një qyteti si dhe të pengojnë fluturimin e një aeroplani”.
Konferenca “Hako për të mësuar, fituar dhe ndihmuar” mbahet nga ora 08:30 deri në orën 17:30, në Kolegjin AAB.