Nga data 7 deri më 10 tetor do të mbahet edicioni i dytë i Festivalit “Prishtina International Vocal Festival”.
Lidhur me këtë Festival, organizatorët kanë njoftuar se nesër (5 tetor), në objektin e Filharmonisë së Kosovës do të mbahet një konferencë për media, duke filluar nga ora 12:00.
Sipas organizatorëve, edhe këtë edicion, sikurse në edicionin e parë, do të sjellin para publikut disa koncerte me performancë nga ansamble të huaja dhe vendore.
Edicioni i sivjetmë do të hapet me një program nga bota e Operës, ku do të performojnë në një bashkëpunim të ngushtë mes korit të Komuniteteve Gjermano-Amerikane nga Gjermania, Korit të Shkollës së Muzikës “Halit Kasapolli” nga Peja dhe Orkestrës së të Rinjve të Kosovës.
Në natën e dytë të këtij edicioni do të ketë një performancë nga Ansambli me renome botërore “The King’s Singers”, ku do të performojnë një program premier të sezonit të tyre 2020.
Ndërsa, mbyllja e edicionit të dytë, sipas organizatorëve, do të bëhet nga Kori Profesional i Filharmonisë së Kosovës.