“Eurogoma” do të organizojë sot [16 tetor] eventin “Gratë në Automobilizëm”, i cili do të fokusohet tek tri gra që aktualisht po e përfaqësojnë Kosovën më së miri në këtë fushë.
Vjosa Selmani nga Departamenti i Marketingut në “Eurogoma” ka bërë të ditur për Radio KFOR-in se bëhet fjalë për Blerta Meydinin – kampione në fuqi në garat automobilistike për femra, Laura Mirenën – shofere në Trafikun Urban në Prishtinë dhe Dorentina Qerimin – Automekanike në Ferizaj.
“Dorentina Qerimi është një shembull, i cili na e dëshmon se gratë janë edhe mekanike të zonja. Laura Mirena është një tjetër grua, të cilës ia besojnë çdo ditë udhëtimin qytetarët e Prishtinës në Trafikun Urban dhe Blerta Bytyqi ka dëshmuar ndër vite suksesin e saj në garat automobilistike duke thyer çdo barrierë. Këto gra janë shembull dhe duhet të shërbejnë si shembull për të gjitha gratë dhe për të gjithë ata që dyshojnë në aftësinë e grave në këto fusha”, tha Selmani për Radio KFOR-in.
Tutje, ajo përmes Radio KFOR-it u ka bërë thirrje të gjitha vajzave dhe grave që të marrin pjesë në këtë event:
“Me këtë event duam të krijojmë një urë lidhëse mes këtyre grave, t’i mbështesim ato dhe t’i inspirojmë të tjerat. Është viti i parë që e organizojmë këtë event, mirëpo duam ta bëjmë traditë dhe të jetë diçka e zakonshme në kalendarin e festave të parvjetshme të Eurogomës”, tha ajo.
Ky event do të mbahet sot, duke filluar nga ora 18:00 në selinë e “Eurogomës” në Shkabaj.