Për të gjashtën herë me radhë, në Prizren, më 12 nëntor, në Shtëpinë e Kulturës, është mbajtur festivali shumetnik “BalkanFest – Kosovë 2021”, organizuar nga OJQ “Plejada”, e mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Zyra e Presidencës dhe nga Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në komunën e Prizrenit. Për shkak të kushteve të pandemisë COVID 19, festivali u organizua pa prezencë të madhe të audiencës, mirëpo u sigurua transmetimi i drejtpërdrejtë.
“Qëllimi i këtij festivali unik është promovimi dhe ruajtja e këngëve tradicionale, folklorit, diversitetit kulturor dhe trashëgimisë kulturore”, kështu tha për Radio KFOR-in, drejtori i festivalit, “BalkanFest – Kosovë 2021”, Hermin Memisi dhe më tutje shtoi: “BalkanFest bashkon të gjitha komunitetet dhe krijon harmoni dhe tolerancë midis të gjitha komuniteteve. Ky festival promovon paqe dhe u jep një mundësi të gjitha komuniteteve dhe vendeve të Ballkanit, për të prezantuar trashëgiminë e tyre kulturore dhe për t’u afruar me njëri-tjetrin. Vlen të theksohet se në edicionin e këtij viti morën pjesë, boshnjakë, shqiptarë, goranë, turq, serbë, romë, ashkali, egjiptianë, mysafirë nga Presheva, Medvegja, Bujanoci, nga Maqedonia e Veriut, nga Mali i Zi dhe nga vende tjera të Ballkanit. Pra, ky Festival, dërgon mesazhin e paqes, tolerancës, respektit të ndërsjellë dhe harmonisë ndëretnike si dhe paraqet rëndësinë e kulturës dhe traditës për të rinjtë.”
Duke ruajtur dhe promovuar trashëgiminë kulturore, ne pasurojmë brezat e ardhshëm!