Në këto ditë kur bota po përballet me pandeminë Covid -19 fokusi më I madh është në gjetjen e mënyrave të ndryshme për tu shëruar apo edhe për tu mbrojtur nga ky virus.
Një gjë të tillë është duke e bërë edhe Prof. Dr. Shaban Buza, profesor në Universitetin e Prishtinës, i cili ka nisur një iniciativë për të prodhuar maska mbrojtëse për personelin shëndetësor, të prodhuara në 3D Printer, me një rreth të plastikës në të cilën i bashkohet një fletë plastike e tejdukshme. Një gjë e tillë realizohet me vullnetarë nga Kosova të udhëhequr nga vet profesori, si dhe nga grupi i vullnetarëve nga Tirana të cilin e udhëheq vajza e profesorit, arkitektja Dea Buza. Një projekt i tillë sigurohet nga bashkëpunimi me Universitetin e Transilvanisë nga Rumania dhe Universitetin Politeknik të Valencias nga Spanja. Për këtë arsye Radio KFOR-i kontaktoi Prof. Dr. Shaban Buza, i cili tha: “Vetëm për pak ditë janë prodhuar dhe dhuruar sipas rekomandimeve të Ministrisë së Shëndetësisë rreth 215 maska, prej tyre 140 maska janë për Barnatoren Qendrore të Shërbimit Spitalor të Klinikës Universitare të Kosovës dhe 50 maska për Komunën e Prishtinës pët t’i shpërndarë sipas nevojave emergjente , si dhe 25 maska për Grupin e Vullnetarëve në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, ku është karantina e posa të ardhurve në Kosovë. Me këtë rast, jo pa emocione, dua të shpreh mirënjohje nga zemra për të gjithë vullnetmirët, disa duke punuar me zell në shtëpi, zyrë ose studio dhe tjerët që po ndihmojnë me materiale e logjistikë, për të prodhuar maskat, të cilat i mbrojnë “luftëtarët e vijës së parë” – mantelbardhët. Grupi po zgjerohet dhe vazhdon punën, andaj edhe priten dhurime të reja”, kështu tha Prof. Dr. Shaban Buza dhe në fund dha një mesazh i cili është edhe motoja projektit të tij: “Maska mburojë për fytyrë, e krijuar nga Ju, shpëton Ata për të na shpëtuar Neve! Rrini n’shpi!!!”