Shumë vende evropiane tanimë kanë shpallur valën e dytë të pandemisë ‘CoViD-19’, duke shënuar shifra rekorde të rasteve pozitive brenda 24 orëve. Në Kosovë, situata po vazhdon të jetë stabile dhe me shifra më të ulëta të të prekurve me koronavirus. Megjithatë, specialistët shëndetësorë, sot më shumë se kurrë, apelojnë në respektim të masave mbrojtëse, në mënyrë që të mos rëndohet sistemi shëndetësor, siç kishte ndodhur javë më parë.
Drejtoresha e Klinikës Infektive në Q.K.U.K, Lindita Ajazaj-Berisha, në një intervistë për Radio KFOR-in, ka apeluar tek të gjithë qytetarët, pa dallim, që të vazhdojnë me respektimin e masave ‘Anti-CoVid’: “E vetmja ndihmë nga qytetarët është që ata, së bashku me ne, si specialistët shëndetësor, të respektojnë të gjitha masat që i japin institucionet shëndetësore. Domethënë, të mbajmë maskën, të mbajmë distancën sociale, të mbajnë higjienën dhe t’i largohemi grumbullimeve të panevojshme, sepse e dimë që tashmë është sezoni i dimrit, andaj nuk përjashtohet mundësia e paraqitjes së rasteve të gripit sezonal dhe e vetmja mënyrë për të na ndihmuar ne, personelin shëndetësor, është me respektimin e këtyre masave. Përndryshe, ne si staf mjekësor do të jemi gjithherë në shërbim të qytetarëve.”
Me respektimin e masave ‘Anti-CoViD’, ju mbroni vetën dhe të afërmit tuaj!