Policia e Kosovës po vazhdon edhe më tutje të zbatojë ligjin ‘Anti-CoViD-19’, ku ndër to përfshihet edhe obligimi i qytetarëve për bartjen e maskave.
Pikërisht për këtë çështje, Radio KFOR-i ka kontaktuar Nënkolonelin, Basri Shabani, njëherazi edhe drejtor i Policisë në Bashkësi dhe Parandalim në kuadër të Divizionit për Siguri Publike, i cili shpjegoi: “Policia e Kosovës fillimisht ka organizuar një fushatë për vetëdijesimin e qytetarëve për vendosjen e maskave dhe ne jemi të kënaqur në këtë drejtim, sepse një numër i madh i qytetarëve, pothuajse të gjithë, po i bartin maskat, e kjo është si rezultat i vetëdijesimit të tyre, për ruajtjen e shëndetit të tyre, por normalisht edhe si rezultat i zbatimit të ligjit. Ka raste edhe kur qytetarët gjobiten për mos vënien e maskës, jo me dëshirën e Policisë së Kosovës, por vetëm në zbatim të ligjit që tashmë e kemi në fuqi dhe në të mirë të shëndetit të qytetarëve. Qytetarët duhet ta respektojnë ligjin ‘Anti-COVID-19’, sepse të gjitha këto vendime që merren nga Qeveria e Kosovës, janë për të mirën e tyre dhe për ruajtjen e shëndetit të tyre.”
Mënyra më e mirë për të ruajtur shëndetin, për t’ju shmangur virusit dhe gjobës (35 euro), është respektimi i ligjeve të vëna për parandalimin dhe luftimin e pandemisë ‘Covid -19’.