E lindur në Bronx të New Yorku-t, këngëtarja Mary J Blige, para se të shpërngulej në New York me nënën dhe motrën e saj, fëmijërinë e saj e kaloi në Savannah të Georgia’s. Ajo kishte një jetë shumë të vështirë, ku ishte detyruar ta braktisë edhe shkollën për të mbështetur financiarisht familjen e saj. Megjithatë kjo nuk e ndaloi të bëhet ndër yjet më të njohura në botë, në zhanrin R&B. Muzika e saj ka qenë gjithmonë shumë e veçantë, në fakt kritikët dhe fansat u mahnitën nga ndërthurja e fuqishme e shpirtit modern dhe elementeve të zhanrit hip-hop që paraqitej në albumet e Mary J Blige, sidomos befasues ishte albumi i saj i parë në vitin 1992, i titulluar ‘What’s the 411?’, album ky i cili e shndërroi Blige, në ikone të zhanrit R&B.
Pas këtij suksesi, ajo vazhdoi të punojë në muzikën e saj dhe solli albumin “My Life”, që fliste për vështirësitë e shumta që kishte ajo në jetë, duke e bërë këtë album edhe më personal me fansat të cilët e mirëpritën atë. Ishte pikërisht ky album që i solli këngëtares disa çmime Grammy. Këngëtarja Mary, përgjatë karrierës së saj prej tre dekadash, ka arritur të kthehet në një ikonë nëpërmes muzikës dhe zërit të saj unik.
Një tjetër shpërthim në karrierën e këngëtares, ishte bashkëpunimi i saj me reperin Kendrick Lamar, në këngën ‘Now or Never’, e publikuar në vitin 2013, që solli edhe nominimin e tyre për çmimin Grammy. Mbretëresha e muzikës R&B, Mary J Blige, ka fituar gjithsej 90 çmime të ndryshme në muzikë dhe mbi 200 nominime në karrierën e saj muzikore. Ajo u shpërblye edhe me çmimin ‘Legjenda e muzikës R&B’, në Los Angeles.