Marvin Gaye, ishte zëri i bukur që përcolli mesazhe me tematikë sociale dhe dashurie, përmes muzikës së tij tek miliona njerëz nëpër botë. Përveç këngëtar, ai ishte edhe kantautor dhe producent, me aftësi të jashtëzakonshme për muzikë. Edhe pse pati një karrierë mjaft të bujshme, para se të arrinte në atë pikë, atij i është dashur të punojë shumë, në vitet e 50-ta ishte pjesë e grupit The New Moonglows, të cilët performonin me artistë të njohur të asaj kohe, e një ndër ta ishte edhe Chuck Berry.
Marvin Gaye gjatë karrierës së tij ka sjellë shumë hite muzikore, ose më mirë të themi albume e hite të pavdekshme. Nëse duhet shkëputur diçka nga krijimtaria e tij, janë patjetër këto këngë që konsiderohen ndër më të suksesshmet nga fansat e tij dhe kritikët e muzikës: Let’s Get It On, Hitch Hike, Ain’t No Mountain High Enough (me Tammi Terrell), I Heard It Through The Grapevine, What’s Going On, Mercy, Mercy Me (The Ecology) dhe Sexual Healing.
Një fakt interesant rreth artistit, Gaye, para se të këndonte, ai ishte edhe baterist, e ndër emrat më të veçantë me të cilët ka performuar janë: The Supremes, Stevie Wonder, The Marvelettes e shumë të tjerë. Jeta e tij përfundoi në mënyrë tragjike, në prill të vitit 1984, Marvin Gaye është qëlluar dhe vrarë nga babai i tij biologjik dhe ai vdiq meqenëse nuk mundi ti shpëtojë plagëve rrugës për në spital. Atë ditë, bota e humbi një yll, që la pas një trashëgimi të përjetshme muzikore.
Jeta e tij me shumë gjasë do të realizohet edhe si film, është këngëtari dhe njëherit producenti, Dr. Dre, që ka marr përsipër të sjellë në ekranet e kinemasë krijimtarinë e ‘Princit te muzikës Soul’.